Robert Elsie | NEWS | AL Art | AL History | AL Language | AL Literature | AL Photography | Contact |

shqip  Letërsia shqiptare anglisht

Robert Elsie

 

English   deutsch   français   shqip

     Autorë shqiptarë

  Autorë të hershëm
  Autorë klasikë
  Autorë modernë 1
  Autorë modernë 2

     Letërsia gojore

  Përralla
  Poezia popullore
  Legjenda

Përralla Poezia popullore Legjenda


Webdesign J. Groß

 

Kjo faqe interneti përmban përmbledhjen më të madhe të letërsisë shqiptare në gjuhën angleze deri tani. Ajo përfshin një varg tekstesh nga e kaluara si dhe shumë autorë bashkëkohorë nga Shqipëria, Kosova dhe nga diaspora shqiptare. Këto përkthime janë rezultati i më shumë se njëzet viteve të punës shkencore në fushën e Albanologjisë. Disa përkthime janë botuar gjatë viteve, por shumica shfaqen këtu për herë të parë.

Robert Elsie

Në krahasim me letërsitë e tjera të Ballkanit, shumë pak letra shqipe janë përkthyer anglisht. Për këtë mungesë ka arsye të ndryshme. Në shumë universitete të Evropës perëndimore dhe të Amerikës Veriore mësohet gjuhë-letërsi sllave dhe romane. Edhe letërsia neogreke trajtohet shpeshherë në kuadrin e studimit të filologjisë klasike apo bizantine. Shqipja, përkundrazi, një gjuhë pa lidhje të ngushta me këto grupe gjuhësore të studiuara, mbetet përjashtim, një lëndë e panjohur. I këtillë është edhe fati i letërsisë shqiptare në tërësi.

Një faktor tjetër i cili ka ndikuar rrënjësisht në përjashtimin e shqipes nga vëmendja e botës perëndimore është izolimi tradicional i shqiptarëve dhe i kulturës së tyre nga bota. Nuk duhet të harrojmë se udhëheqësit stalinistë të Shqipërisë mbajtën vendin e tyre hermetikisht të mbyllur për gati një gjysëm shekulli, nga nëntori 1944 deri më 1990. Shqipëria u bë një planet më vete, diku prapa hënës. Pak të huaj hynin dhe shumë pak shqiptarë dilnin. Gjatë viteve më të zymta të diktaturës bile ishte tepër e rrezikshme të tregoje interes për mësimin e një gjuhe të huaj.

Kosova, e cila ishte një pjesë përbërëse e Jugosllavisë, nuk u izolua në atë masë. Megjithatë, udhëheqësit e Beogradit, përherë të merakosur për ndonjë sfidë të mundshme ndaj pushtetit serb, e mbajtën Kosovën nën një kontroll dhe vëzhgim të rreptë dhe asnjëherë nuk inkurajuan të huajt që ta vizitonin. Rrjedhimisht, kishte shumë pak kontakte kulturore me Kosovën deri sa të çlirohej vendi në pranverën e vitit 1999.

Përveç faktorëve historikë dhe politikë duhet të nënvizohet gjithashtu se shqipja nuk është një gjuhë që mësohet lehtë, dhe shumë pak të huaj e kanë përvetësuar në atë masë sa të jenë në gjendje të përkthejnë tekste letrare.

Kështu, mungesa e përkthimeve të letërsisë shqiptare nuk ka të bëjë me një mungesë cilësie të origjinalit, megjithëse duhet të pranojmë se ka shumë tekste të letërsisë bashkëkohore shqiptare të cilat më mirë të mos përkthehen. Letërsia shqiptare mbetet e panjohur, me pak përjashtime, thjesht nga mungesa e përkthyesve të kualifikuar, në mënyrë të veçantë në anglisht. Le të shpresojmë së kjo gjendje do të përmirësohet në të ardhmen.

Ndërkohë, me përkthimet e mia në këtë faqe unë synoj të nxis interesin për letërsinë shqipe, në mënyrë që të paktën një grusht autorësh të bëhet më i njohur.

Lidhur me këtë, do të dëshiroja të falënderoja poeten kanadeze Xhanisë Mathi-Hek [Janice Mathie-Heck] (musette@telus.net) nga Kalgari [Calgary] në Alberta, e cila ka bashkëpunuar me mua në shumë përkthime nga shqipja kohët e fundit. Pa mbështetjen e saj, kjo përmbledhje nuk do të ishte shfaqur këtu.

Robert Elsie
Olzheim (Eifel), Gjermani

Të drejtat e teksteve originale, pra në gjuhën shqipe, i kanë autorët dhe botuesit vetë, kurse të drejtat e përkthimeve i ka përkthyesi. Përkthimet e shfaqura në këtë faqe interneti mund të kopjohen dhe të përdoren lirisht për qëllime private jotregtare, nëse burimi shënohet në mënyrën e duhur. | Robert Elsie

TOP