Robert Elsie | AL Art | AL History | AL Language | AL Literature | AL Photography | Contact |

 

 

 

 

Robert Elsie

Letërsia shqiptare anglisht

AL Literature
Hyrje

Autorë të hershëm

Autorë klasikë

Autorë modernë

Përralla

Poezia popullore

Legjenda

 

Datenschutz

Hyrje
English | Deutsch

Kjo faqe interneti përmban përmbledhjen më të madhe të letërsisë shqiptare në gjuhën angleze deri tani. Ajo përfshin një sërë tekstesh nga e kaluara si dhe shumë autorë bashkëkohorë nga Shqipëria, Kosova dhe nga diaspora shqiptare. Këto përkthime janë rezultati i më shumë se njëzet viteve të punës shkencore në fushën e Albanologjisë. Disa përkthime janë botuar gjatë viteve, por shumica shfaqen këtu për herë të parë. Për periudhën deri në fund të shekullit të XX mund të thuhet se kjo antologji përfaqëson gamën e gjërë të letërsisë shqiptare.

Në krahasim me letërsitë e tjera të Ballkanit, shumë pak letra shqipe janë përkthyer anglisht. Për këtë mungesë ka arsye të ndryshme. Në shumë universitete të Evropës perëndimore dhe të Amerikës Veriore mësohet gjuhë-letërsi sllave dhe romake. Edhe letërsia neogreke trajtohet shpeshherë në kuadrin e studimit të filologjisë klasike apo bizantine. Shqipja, përkundrazi, një gjuhë pa lidhje të ngushta me këto grupe gjuhësore të studiuara, mbetet përjashtim, një lëndë e panjohur. I ketillë është edhe fati i letërsisë shqiptare në tërësi.

Një faktor tjetër i cili ka ndikuar rrënjësisht në përjashtimin e shqipes nga vëmendja e botës perëndimore është izolimi tradicional i shqiptarëve dhe i kulturës së tyre nga bota. Nuk duhet të harrojmë se udhëheqësit stalinistë të Shqipërisë mbajtën vendin e tyre hermetikisht të mbyllur për gati një gjysëm shekulli, nga nëntori 1944 deri më 1990. Shqipëria u bë një planet më vete, diku prapa hënës. Pak të huaj hynin dhe shumë pak shqiptarë dilnin. Gjatë viteve më të zymta të diktaturës bile ishte tepër e rrezikshme të tregoje interes për mësimin e një gjuhe të huaj.

Kosova, e cila ishte një pjesë përbërëse e Jugosllavisë, nuk u izolua në atë masë. Megjithatë, udhëheqësit e Beogradit, përherë të merakosur për ndonjë sfidë të mundshme ndaj pushtetit serb, e mbajtën Kosovën nën një kontroll dhe vëzhgim të rreptë dhe asnjëherë nuk inkurajuan të huajt që ta vizitonin. Rrjedhimisht, kishte shumë pak kontakte kulturore me Kosovën deri sa të çlirohej vendi në pranverën të vitit 1999.

Përveç faktorëve historikë dhe politikë duhet të nënvizohet gjithashtu se shqipja nuk është një gjuhë që mësohet lehtësisht, dhe shumë pak të huaj e kanë përvetësuar në atë masë sa të jenë në gjendje të përkthejnë tekste letrare.

Kështu, mungesa e përkthimeve të letërsisë shqiptare nuk ka të bëjë me një mungesë cilësie të origjinalit, megjithëse duhet të pranojmë se ka shumë tekste të letërsisë bashkëkohore shqiptare të cilat më mirë të mos përkthehen. Letërsia shqiptare mbetet e panjohur, me pak përjashtime, thjesht nga mungesa e përkthyesve të kualifikuar, në mënyrë të veçantë në anglisht. Le të shpresojmë së kjo gjendje do të përmirësohet në të ardhmen.

Ndërkohë, me përkthimet e mia në këtë faqe unë synoj të nxis interesin për letërsinë shqipe, në mënyrë që të paktën një grusht autorësh të bëhet më i njohur.

Letërsia e shkruar e prezantuar këtu ndahet në tri pjesë: (1) autorë të hershëm (nga fillimi i letërsisë shqiptare deri në shekullin e 19-të; (2) autorë klasikë (shkrimtarë të Rilindjes deri në Luftën e Dytë Botërore); (3) autorë modernë 1 (shkrimtarë bashkëkohorë të Shqipërise) dhe autorë modernë 2 (shkrimtarë bashkëkohorë nga jashtë Shqipërie, dmth. nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, nga ngulimet shqipfolëse të Italisë, dhe nga diaspora).

Përveç letërsisë së shkruar prezantohet këtu edhe letërsia gojore shqiptare, e cila ndahet në këto pjesë: (4) përralla shqiptare; (5) përmbledhje dhe tekste të ndryshme të poezisë popullore; dhe (6) legjenda shqiptare.

Lidhur me këtë, do të dëshiroja të falënderoja poeten kanadeze Xhanisë Mathi-Hek [Janice Mathie-Heck] (musette@telus.net) nga Kalgari [Calgary] në Alberta, e cila ka bashkëpunuar me mua në shumë përkthime nga shqipja kohët e fundit. Pa mbështetjen e saj, kjo përmbledhje nuk do të ishte shfaqur këtu.

Robert Elsie

Të drejtat e teksteve originale, pra në gjuhën shqipe, i kanë autorët dhe botuesit vetë, kurse të drejtat e përkthimeve i ka përkthyesi. Përkthimet e shfaqura në këtë faqe interneti mund të kopjohen dhe të përdoren lirisht për qëllime private jotregtare, nëse burimi shënohet në mënyrën e duhur. | Robert Elsie

TOP